Fjalë Kyçe

Shkoi në spital për infeksion në sy, mjekët ia gjetën katër bletë të gjalla

Shkoi në spital për infeksion në sy, mjekët ia gjetën katër bletë të gjalla

Një grua 29-vjeçare nuk kishte ide pse sytë i ishin mbyllur nga e ënjtura. Ajo kishte dhimbje të padurueshme dhe sytë nuk i ndaleshin së lotuari. Gruaja nga Tajvani tha se ndodhej në huti pasi nuk e kuptonte pse gjendja që mendonte se ishte infeksion po i rëndohej gjithnjë e më shumë.
Por kur gruaja me mbiemrin He shkoi për t’u kontrolluar në Spitalin Universitar të Fooyinit në Tajvan, mjekët nuk i thanë se ka infeksion bakterial. Përderisa po ia vrojtonte syrin me mikroskop, shefi i oftalmologjisë në këtë spital, Hung Chi-tin, pa diçka që nuk e kishte parë kurrë më parë.

Këmbët e insekteve po lëviznin në pjesën rrethuese të syrit. Ai ia nxori një bletë nga syri dhe ajo ishte e gjallë. Sidoqoftë, mjeku nuk e kishte mbaruar punën ende. Ai i nxori edhe katër bletë të tjera.

Gjatë një konference për gazetarë, mjeku tha se duke kërkuar burime të kripës, bletët ishin ushqyer me lotët e kësaj gruaje. Për më tepër, ai ka thënë se ky është rasti i parë në botë që në syrin e njeriut gjenden bletë të gjalla.

“Pashë diçka që dukeshin si këmbë insektesh, prandaj i tërhoqa ngadalë një nga një përmes vrojtimit në mikroskop, pa ua dëmtuar trupat”, tha Hung. Por si përfunduan këto bletë në syrin e kësaj gruaje? Gruaja dyshon se kjo gjë ndodhi një ditë para kontrollit mjekësor. “Shkova për ta vizituar dhe për ta pastruar varrin e një njeriu të afërm me familjen time. U përkula dhe ia hoqa gjethet”, tha ajo.

Më pas, ajo kishte hetuar se diçka i kishte hyrë në sy, por mendoi se është thjesht pluhur. Prandaj, ajo i kishte pastruar sytë me ujë dhe nuk i kishte fërkuar ata në pjesën tjetër të ditës. Gruaja e kishte harruar këtë gjë deri në momentin kur i pa sytë e ënjtur dhe filloi të përjetonte dhimbje që ia nxirrte lotët.

Mjeku tha se gruaja ka bërë mirë që nuk i ka fërkuar sytë, sepse po ta bënte një gjë të tillë, do ta rriste rrezikun për ta rënduar gjendjen e kornesë së pezmatuar dhe të verbohej.

“Gruaja do të jetë mirë. Bletët do të jenë mirë. Kjo nuk është diçka për të cilën duhet të shqetësohen njerëzit. Nuk pres që do të shohim raste të tilla përsëri”, tha ai, shkruan “Washington Post”.