Fjalë Kyçe

“Bopers” në ritëm e harmoni me jazzin e viteve ‘40

“Bopers” në ritëm e harmoni me jazzin e viteve ‘40

Performanca më e sinqertë që ka dëgjuar ndonjëherë, e ka cilësuar bateristi Nesim Maxhuni koncertin e natës së dytë të “Prishtina Jazz Week”, të martën mbrëma. “Jam shumë i lumtur për këtë”, ka qenë komenti i Maxhunit, njëherësh organizator i kësaj ngjarjeje katërditore.

Nën tingujt e rrymës së jazzit “bebop” i cili mori hov në Amerikën e viteve ‘40 e që karakterizohet nga tempi i shpejtë, akorde komplekse dhe strukturë harmonike, bendi maqedonas “Bopers” u prezantua para publikut kosovar. Njerëz pati më pak sesa në hapje, por ndërveprimi i publikut me tingujt, duartrokitjet e brohoritjet e tyre, shoqëruar nga spektri i dritave, nuk lanë për të dëshiruar.

Pesëshja e bendit – Kiril Kuzmanov (saksofon), Trajce Velkov (trumbetë) Gordan Spasovski (piano), Kiril Tufekcievski (kontrabas) dhe Viktor Filipovski (bateri) – ishin ribashkuar pas në kohe prej kur angazhimet e përditshme i kishin ndarë nga performancat e përbashkëta.

Vepra me të cilën nisi mbrëmja ka qenë “Folklore” e jazz-saksofonistit amerikan Vincent Herring e vitit 1992. Ndër specifikat e kësaj vepre qe fillimi me ritme më të shpejta që u ngadalësuan kah mesi për të rimarrë në fund energjinë e fillimit. Pas kësaj pasoi një debutim me veprën autoriale “Tetka Petka Tonika” të basistit të bendit Kiril Tufekcievski, që mori vëmendjen fillimisht prej mënyrës se rimohej titulli, për të mos iu shkoqur deri në fund udhëtimit nëpër tingujt që herë ngjanin me trokitje të lehta e herë kumbonin nëpër krejt sallën. Prezantimi i veprave autoriale nuk mbaroi aty, por vazhdoi edhe për katër herë të tjera, ku anëtarët e bendit janë edhe si autorë veprash, edhe si instrumentistë të zotë.

Radha për prezantim me dy veprat e tij i erdhi pianistit Gordan Spasovski me “Light Pillar” dhe “Burning Sand”.

Turneut të prezantimit i hyri në mes vepra “Lotus Blossom” e kompozitorit, tekstshkruesit amerikan Billy Strayhorn. Ashtu si historia e jetës së këtij muzikanti, edhe historia e veprës është interesante dhe e komplikuar. Tre emra iu kishin ndërruar, deri kur në vitin 1959 u regjistrua si “Lotus Blossom”.

Rrugëtimi drejt universit të tingujve të jazzit vazhdoi me veprën origjinale të trumbetistit të bendit, Trajce Velkov, emërtuar “Thoughts”.