Fjalë Kyçe

Chai Vasarhelyi – prej dokumentarit për Kosovën deri te “Oscari”

Chai Vasarhelyi – prej dokumentarit për Kosovën deri te “Oscari”

Elizabeth Chai Vasarhelyi prej së dielës njihet si regjisorja e cila së bashku me Jimmy Chin kanë marrë trofeun e “Oscarit” për dokumentarin më të mirë, “Free Solo”. Por të pranishmit në ceremoni, derisa ajo drejtohej nga skena e teatrit “Dolby” në Los Angeles, kishin përballë një regjisore që karrierën e kishte nisur me një dokumentar nga një vend i vogël me afro 2 milionë banorë. Kosova ishte stacioni i saj i parë si profesioniste.

Nga ky shtet – që më 1999 kur ajo nisi punën për dokumentarin “A Normal Life” (Një jetë normale) ishte nën administrim ndërkombëtar – Vasarhelyi mblodhi përjetimet e disa protagonistëve për t’i bërë publike në një dokumentar njëorësh, që do të jepej në shumë vende të botës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Rrëfimi i “Free Solo”, me të cilin ajo rrëmbeu “Oscarin” bashkë me Jimmy Chin, është i alpinistit Alex Honnold.

Më 10 shkurt, po me këtë dokumentar, dyshja e regjisorëve kanë fituar “Bafta” për dokumentarin më të mirë.

Por Vasarhelyi rrëfimet për njerëz që kanë luftuar për ambiciet e veta i ka të hershme. Në Kosovë ajo mblodhi histori të atyre që ëndërronin lirinë. E pas saj zhvillimin e vendit të tyre.

I ishin dashur tre vjet. Më 1999 kishte nisur xhirimet e u ishte kthyer atyre herë pas here deri më 2002. Më 2003, dokumentari “Një jetë normale” ishte dhënë premierë botërore në “Tribeca Film Festival” në New York. Gjatë punës në Kosovë në një formë ajo kishte seli redaksinë e “Kohës Ditore” dhe atë të Kohavisionit.

Veton Surroi, asokohe botues i gazetës, Nebi Qena e Garentina Kraja, gazetarë, janë midis personazheve të saj. Filmi dokumentar fillon me filmime e fotografi të Qenës e të Krajës si fëmijë. Shpjegohet se ata u takojnë gjeneratave që u detyruan të shkonin në shkolla të një sistemi paralel, pasi regjimi serb i kishte mbyllur ato për shqiptarët. Shpjegohet se janë fëmijë që prindërit i kishin të papunë. Pos Krajës e Qenës, këtë histori, regjisorja që asokohe punonte dokumentarin së bashku me Hugo Berkeley, kishte zgjedhur për personazhe tash sociologen Linda Gusia, solistin e grupit “Jericho”, Petrit Çarkaxhiu, regjisoren Kaltrina Krasniqi e të tjerë. Dokumentari shëtit nëpër rrëfimet e fëmijërisë së shtatë të rinjve në fillimvitet ’90 për të vazhduar deri te lufta në Kosovë. Pasqyrohen koha e pasluftës, zgjedhjet e para lokale e perspektiva e Kosovës. Gazetarët Kraja e Qena shpjegojnë problemet e situatën politike.