Fjalë Kyçe

Rishpërndarja e tokës në Shqipërinë e paskomunizmit

Rishpërndarja e tokës në Shqipërinë e paskomunizmit

Projektet e ujitjes, ngritja e tarracave në vise të larta dhe tharja e moçaleve, shpesh të ndërmarra përmes punës së detyrueshme të njerëzve, e shtoi në masë të konsiderueshme sasinë e tokës së punës në Shqipëri pas 1945- tës.

Rritja e madhe e popullsisë sidoqoftë, e reduktoi sasinë e tokës së kultivueshme për kokë banori për 35 për qind, në periudhën midis viteve 1950 dhe 1987 dhe për 20 për qind në vitet 1980-1988. Rreth 423.000 hektarë ujiteshin më 1991, një rritje kjo nëse krahasohet me 39.300 hektarët më 1950. Trazirat ekonomike të fillimit të viteve nëntëdhjetë megjithatë bënë që vetëm 40 për qind e sistemit të ujitjes në Shqipëri të jetë funksional, derisa 20 për qind e sistemit as që mund të riparohej më.

Shqipëria po ashtu investoi në masë të konsiderueshme në sera të importuara nga Holanda, gjatë nisjes së saj për vetëmjaftueshmëri ushqimore. Pas deklaratës së Enver Hoxhës më 1967 se regjimi kishte kolektivizuar gjithë tokën bujqësore private, të vetmet forma të ligjshme të prodhimit në bujqësi ishin fermat shtetërore, fermat kolektive dhe parcelat personale që u jepeshin anëtarëve të fermave kolektive, shkruan sot Koha Ditore.

Ferma e parë shtetërore e Shqipërisë u krijua prej një ferme të madhe eksperimentale, të krijuar prej kolonizatorëve italianë, në vitet tridhjetë. Pas Luftës së Dytë Botërore qeveria bëri bashkë fermat e vogla kolektive dhe i transformoi në ferma shtetërore në secilin qark. Të 216 fermat shtetërore, që kishin nën kontroll 24 për qind të tokës së punës më 1991, funksiononin si organizata industriale; rrjedhimisht, punëtorët e fermave shtetërore, njëjtë si punëtorët e fabrikave, punonin për rrogat fikse.