Fjalë Kyçe

“The News” i Shqipërisë me çmim në Australi hap dyer për “Oscar” e “Bafta”

“The News” i Shqipërisë me çmim në Australi hap dyer për “Oscar” e “Bafta”

“The News” i regjisorit shqiptar Lorin Terezi ka goditur në shenjë që në premierë. E këtë ia ka dalë ta bëjë në një kontinent tjetër, meqë ia hap dyert për trofe si “Oscar” e “Bafta”. Ka triumfuar si filmi më i mirë në kategorinë ndërkombëtare të filmit të shkurtër në edicionin e 29-të të “FlickerFest” në Sydney të Australisë, që u mbajt prej 10 deri më 19 janar.

“The News” ishte në mesin e rreth 200 filmave që u bënë pjesë e edicionit të sivjetshëm nga 3 mijë e 500 aplikime, që ishte një rekord për festivalin kualifikues për “Academy Awards” dhe “British Academy of Film and Television Arts”, shkruan sot Koha Ditore.

Brenda 23 minutave “The News” sjell historinë e një nuseje të re dhe vjehrrës e vjehrrit të saj. Jeta e tyre e zakonshme merr një kthesë tjetër kur nusja gjen afër burimit një kufomë. Këtu fillon një betejë mes fshatarëve, teksa policia dhe mediat zbarkojnë në fshatin e harruar. Rolin e nuses e luan aktorja nga Kosova, Albulena Kryeziu-Bokshi.

Duke lënë anash peshën e çmimit që ka marrë në ceremoninë e së dielës mbrëma, regjisori Terezi ka thënë se ky sukses për të ka një tjetër domethënie.

“Për mua shumë e rëndësishme është që një histori shqiptare i kalon kufijtë tonë dhe perceptohet dhe në një kontinent tjetër duke u vlerësuar. Kjo, përtej sotisfaksionit që të jep një çmim”, ka thënë ai në një prononcim për “Kohën Ditore”. Ka folur edhe për rëndësinë e festivalit.