Fjalë Kyçe

Valltari që promovon të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Valltari që promovon të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Ëndrrat personale për profesionalizmin në fushën e artit dhe atë të shkencave juridike, Shemsedin Sajhadi nga Prizreni prej vitesh i ka vënë në funksion të promovimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Edhe pse i ri në moshë, prej pesë vjetësh, ai punon me këtë kategori shoqërore, duke jetësuar projektin “Ti barabartë Unë”, i cili u jep shpresë dhe zë personave me aftësi të kufizuara, kryesisht të moshave të reja, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në saje të këtij angazhimi, pos që ka frymëzuar personat me aftësi të kufizuara që të vallëzojnë, të flasin publikisht për pengesat e përditshme me të cilat ballafaqohen ata, ka mundësuar që një pjesë e tyre t’i takojnë edhe idhujt nga estrada e Kosovës dhe e Shqipërisë.

“Përvoja ime disavjeçare në vallëzim e koreografi ka krijuar mundësinë që të kontribuoj përmes artit për këta persona. Në anën tjetër, gjatë studimit të shkencave juridike kam parë moszbatimin e legjislacionit dedikuar të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, ani pse ato garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare, dhe kjo më ka shtyrë me kontribu për mbrojtjen e këtyre të drejtave”, nis rrëfimin Sajhadi.

Projekti dhe sfidat

Ai tregon se në vitin 2014 ka nisur realizimin e projektit të quajtur “Ti barabartë Unë” në Prizren me idenë që t’i edukojë PAK-të në fushën e vallëzimit.

“Para realizimit të edicionit të parë të projektit kam vizituar organizatat e PAK-ve, ku i kam dëgjuar rrëfimet e tyre, barrierat që i hasin, dëshirën e tyre për me dalë në skenë, etj. Kjo më ka shtyrë që me ba diçka për me i plotësua dëshirat e tyre. Një person i verbër më pati thënë atëherë se ka shumë dëshirë me këndu para audiencës, derisa një person tjetër me aftësi të kufizuara më pati thënë se mund të vallëzojë në stile të ndryshme, porse nuk i jepej mundësia. Kjo ka qenë shtysa kryesore për nisjen e këtij projekti pesë vjet më parë”, ka thënë Sajhadi.