Fjalë Kyçe

Disa orë pas ofertës për bisedime, Koreja Verore lëshon dy raketa

Disa orë pas ofertës për bisedime, Koreja Verore lëshon dy raketa

Ushtria e Koresë Jugore ka thënë se Koreja Veriore i ka hedhur në ajër dy raketa në det, disa orë pasi vendi komunist paraqiti ofertë për t’i vazhduar bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara.

Sidoqoftë, Koreja Veriore paralajmëroi se marrëveshjet e saj me Uashingtonin mund të përfundojnë pa propozime të reja.

Lëshimet e raketave të martën dhe kërkesa për propozime të reja ishin qartazi veprime për ta shtuar presionin ndaj Shteteve të Bashkuara, nga të cilat Koreja Veriore pret lëshime gjatë bisedimeve. Besohet se Pjonjangu do të kërkojë garanci sigurie dhe lirim nga sanksionet amerikane.

Sipas komandës qendrore të ushtrisë së Koresë Jugore, raketat e Koresë Veriore kanë fluturuar rreth 330 kilometra para se të binin në det. Nuk dihet nëse këto armë ishin raketa balistike apo ndonjë lloj tjetër i raketave, shkruan The Guardian.

Të hënën në mbrëmje, zëvendësministrja e jashtme e Koresë Veriore, Choe Son Hui, tha se vendi i saj është i gatshëm t’i vazhdojë bisedimet për armët bërthamore në fund të shtatorit, me kusht që Shtetet e Bashkuara të ulen në tavolinën e negociatave me propozime të reja. Ajo shtoi se nëse këto propozime nuk janë të kënaqshme, marrëveshjet e deritashme mes dy vendeve mund të përfundojnë.

Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë ende nuk i ka komentuar raportimet për lëshimin e raketave dhe deklaratën e zyrtares së Koresë Veriore.