Fjalë Kyçe

Ja sa miliarda euro investoi BE-ja në Kosovë për 20 vjet

Ja sa miliarda euro investoi BE-ja në Kosovë për 20 vjet

Që nga paslufta, Bashkimi Evropian ka ndihmuar Kosovën përmes programeve të ndryshme. Për 20 vjet, BE-ja i ka siguruar Kosovës afër tre miliard euro mbështetje.

Në një përgjigje për Indeksonline, Zyra e BE-së në Kosovë kanë theksuar se Kosova përfiton nga programet rajonale, por edhe horizontale.

“BE-ja e ka mbështetur Kosovën për një kohë të gjatë përmes disa instrumenteve të ndryshëm. Nga viti 1999 deri më 2018 BE-ja i ka siguruar Kosovës afër 3 miliard euro asistencë në mbështetje të ndërtimit të institucioneve dhe zhvillimit socio-ekonomik. Kosova gjithashtu përfiton nga programet rajonale dhe horizontale. Për shembull, Kosova së bashku me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë përfiton nga IPA II (2014-2020) shumën 2.9 miliardë euro”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Sektorët kryesor që BE-ja ka mbështetur janë demokracia dhe qeverisja, sundimi I ligjit, mjedisi e fusha të tjera.

“Sektorët kryesorë që janë mbështetur nga asistenca e BE-së janë: demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, mjedisi dhe ndryshimet klimatike, energjia, konkurrueshmëria dhe inovacioni, bujqësia dhe zhvillimi rural si dhe bashkëpunimi rajonal dhe territorial. Asistenca nën instrumentët e mëhershëm është zbatuar nga Agjencia Evropiane për Rindërtim. Informacionet e hollësishme janë arkivuar, por asistenca totale ka qenë rreth 1.1 miliard euro nga 1999-2006”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

BE-ja ka qenë donatori më i madh i ndihmës financiare në vendin tonë.

Vetëm për sundimin e ligjit në Kosovë, BE-ja ka mbështetur me një shumë prej 175 milion euro deri më tani.

“Një nga projektet më të mëdha, Pallati i Drejtësisë i ka kushtuar buxhetit të BE-së rreth 26 milion euro. Energjia dhe mjedisi janë fusha në të cilat ka investuar shumë që nga viti 2027 me gati 300 milion euro. Disa nga projektet e mëdha përfshijnë sistemin e ngrohjes në Prishtinë si dhe infrastrukturën e ujit. Një tjetër investim i madh në Kosovë është mbështetja e sektorit të arsimit. Intervenimi i BE-së në fushën e arsimit është i konsiderueshëm. Që nga viti 2007 BE-ja ka investuar përmes instrumetëve të IPA-së përafërsisht 65 milion euro”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e tyre.

Përveç këtyre investimeve, BE po planifikon që të intervenoj në fushën e arsimit.

Kjo Zyrë për Indeksonline ka bërë të ditur se rreth 13 milion euro po planifikon në këtë drejtim.

“Përveç asaj që u përmend më lart, BE-ja po planifikon të fillojë nje intervenim të gjithmbarshëm në fillim të vitit 2020 në fushën e arsimit para-universitar që përfshin shumën e rreth 13 milion eurove”, kanë theksuar nga Zyra e BE-së.

Mirëpo, disa nga projektet e BE-së në Kosovë po dështojnë shkaku i institucioneve vendore ose kontraktorëve.

Së fundmi, projekti i deponisë më të madhe të mbeturinave të rrezikshme në vlerë prej 12 miliion euro është anuluar.

Kjo për shkak se Kuvendi i Komunës së Fushë Kosovës ku ishte përcaktuar një lokacion për ndërtimin e depos, refuzoi ngritjen e objektit në territorin e saj, duke mos i lënë kështu BE-së opsion tjetër, veçse të anulojë projektin.

Zyra e BE-së në përgjigjen e tyre theksuan se disa projekte të ndërtimit kanë vonuar për shkak të dështimit të kontraktorëve për të kryer punën.

“Rreziku kryesor që bën që projektet të dështojnë lidhet me dobësitë e institucioneve ose kontraktorëve. Këto rreziqe janë të shpeshta veçanërisht në rastin e projekteve të infrastrukturës, kur para-kushtet e fillimit të zbatimit nuk përmbushen, për shembull kur nuk jepet toka e përshtatshme, kur nuk jepet leja, mungesa e bashkëpunimit përmes zbatimit mund të shkaktojë vonesa ose dështime, kur mirëmbajtja e pamjaftueshme dhe operimi i infrastrukturës mund të çojë në dëmtimin e investimit të BE-së. Gjithashtu, disa projekte te ndërtimit kanë vonuar për shkak të dështimit të kontraktorëve për të ta kryer punën, prandaj është shfaqur nevoja për t’i tenderuar punimet në ndërtimtari.

Fondet e humbura janë ato që vërtetë janë ndarë për të identifikuar projektet që më pas nuk janë implementuar për shkak të mungesës së kushteve të kërkuara për të cilat është arritur pajtim. Projekti i Deposë së Mbeturinave të Rrezikshme është anuluar për shkak të mungesës së tokës. Shuma e dedikuara për këtë projekt ka qenë rreth 12 milion euro (IPA 2015)”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e tyre.

Mirëpo, BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen përmes IPA III dhe programeve të tjera.