Fjalë Kyçe

Maqedonia e Veriut, përfituesja më e madhe nga taksa 100 për qind

Maqedonia e Veriut, përfituesja më e madhe nga taksa 100 për qind

Përreth 40 për qind është rritur importi i produkteve nga Maqedonia e Veriut, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produkte nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në nëntor të 2018-s.

Vetëm gjatë vitit 2019, nga ky shtet fqinj janë importuar mallra në vlerë prej mbi 239 milionë e 306 mijë eurosh. Ndërkohë, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë 2018-s, vlera e mallit të importuar nga ky vend ishte 172 milionë e 176 mijë euro, shkruan sot “Koha Ditore”.

Bazuar në të dhënat e këtij institucioni, del që Maqedonia e Veriut ka përfituar nga taksa edhe në muajt e fundit të 2018-s. Kjo, pasi gjatë vitit 2017, vlera e mallit të importuar ishte 156 milionë e 498 mijë euro apo 10 për qind më pak sesa më 2018.

Përveç Maqedonisë së Veriut, edhe Shqipëria ka përfituar nga taksa prej 100 për qind për produktet serbe dhe ato boshnjake. Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se nga ky shtet gjatë 2019 u importuan mallra në vlerën mbi 222 milionë e 547 mijë euro. Gjatë vitit 2018 nga Shqipëria, Kosova importoi mallra në vlerë 206 milionë e 492 mijë euro, apo 8 për qind më pak sesa më 2019. Rritje të importit pati në dy muajt e fundit të 2018. Ndërsa, gjatë 2017-s u importua 151 milionë e 815 mijë euro.