Fjalë Kyçe

Deçani me qendër moderne për persona me aftësi të kufizuara mendore

Deçani me qendër moderne për persona me aftësi të kufizuara mendore

L.H. dhe H.H. janë bërë shokë dhe luajnë për çdo ditë në shtëpinë e Komunitetit për Persona me Aftësi të Kufizuara Mendore në Deçan. Aty kanë shkuar para një muaji dhe po trajtohen për shkak të problemeve mendore. Bashkë me ta janë edhe tetë persona të tjerë.

Venera Mushkolaj, psikologe në këtë qendër, thotë se banorët aty janë sikur pjesë e një familjeje.

”Mundohem qe të jem sa më afër tyre duke iu krijuar një mundësi, qoftë përmes lojërave të ndryshme, punimeve me anë të letrës apo gjetheve, nganjëherë edhe këndojmë së bashku”, tregon Mushkolaj.

Kjo psikologe mban edhe orë shtesë për dhjetë personat e vendosur në këtë qendër. “Gjithashtu, kur kanë nevojë, mbaj edhe orë të veçantë me ta duke u munduar që sado pak t’i mësoj se si të sillen, si të ushqehen dhe të kujdesen për veten e tyre, etj. Kjo mënyrë e trajtimit këta banorë të kësaj qendre i bën të ndihen si të ishin në familjet e tyre, mbase tashmë edhe janë familjarizuar mes vete”, deklaroi ajo.

Drejtoresha e kësaj shtëpie, Hane Lekaj-Berishaj, thotë se s´kanë mundësi të pranojnë më shumë se dhjetë persona për trajtim.
Megjithatë, kjo shtëpi pranon vetëm 10 persona, të cilët qëndrojnë përkohësisht aty.

“Vendosja në këtë shtëpi s’është e përhershme, kontratat vlejnë nga 3 muaj deri në 1 vit, me mundësi kthimi në familje”, ka thënë Lekaj-Berishaj.

Objekti i kësaj qendre është rinovuar rishtazi nga një donator vullnetar. Menaxherja thotë se Homdi Lataj me familjen e tij investuan në këtë objekt. Një pjesë të mjeteve për funksionalizimin e kësaj qendre vazhdon t’i ndajë Qeveria e Kosovës, përfshirë 13 personat që merren me punët aty.

“Kushtet në këtë shtëpi ofrohen nga stafi punues, që përbëhet nga 3 infermiere, 5 ndihmës mjekësorë, 2 roje nate, 1 psikologe klinike, menaxherja e shtëpisë dhe asistentja. Gjithashtu bëhet edhe furnizimi me ushqim, higjienë dhe terapi mjekësore”, ka deklaruar ajo.

Kushtet në këtë shtëpi janë mjaft të përshtatshme. Bashkëjetesa në këtë shtëpi funksionon 24 orë në 7 ditë të javës. Shtëpia posedon rreth 300 m² hapësirë.

“Në brendi të këtyre 300 m² gjendet një kuzhinë për ushqim, një dhomë për kujdestari të stafit, një dhomë për qëndrim ditor, shtatë dhoma gjumi“ tha drejtoresha e kësaj shtëpie.

Gjithashtu, gjenden edhe dhoma të tjera, të cilat u japin një ndihmë mjaft të madhe këtyre banorëve. ´´Dy dhoma për rezerva ushqimi dhe produkte të higjienës, një dhomë për gardërobë dhe një dhomë me hapësirë më të madhe për makineritë për larje dhe tharje të rrobave”, vazhdoi ajo.

Nga pamundësia e ndërtimit të një objekti të ri, që ishte dëshirë e Homdi Latajt, ai e bëri të paktën rinovimin e të vjetrit. Këta banues kanë marrë shumë ndihma, jo vetëm zgjerimin e objektit, duke filluar nga furnizimi me gjërat më elementare në brendi të saj.
“Me një shumë rreth 300 mijë eurove, të cilat vëllai im i ndau për rinovimin e kësaj shtëpie, në fillim të vitit 2019 e filluam riparimin. E zgjeruam objektin ekzistues, shtuam edhe një kat të asaj shtëpie, e zgjeruam dhe e ndërtuam oborrin. Më pas, vazhduam me furnizim, duke filluar nga veshjet, higjiena, ushqimi dhe çdo gjë tjetër që kishin nevojë”, tha Sevdije Lataj, motra e donatorit Homdi Lataj.

Kjo qendër është themeluar 11 vjet më parë, kur Qeveria e Kosovës kishte krijuar tetë qendra nga Qendra Rehabilituese në Shtime. Kjo qendër në Deçan është qendër rajonale, e cila i përfshin Klinën, Istogun, Pejën, Deçanin, Junikun dhe Gjakovën.

Qeveria e Kosovës ndan rreth 160 mijë euro, vlerë kjo e cila u ndihmon në furnizimin me gjërat më elementare dhe që ata të mund te krijojnë një jetë me kushte standarde.

Për këtë shtëpi, e cila ndodhet në periferi të qytetit, ka folur edhe i pari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ai tha se është mjaft i kënaqur me punën e stafit.

“Duke e falënderuar Homdi Latajn me familje, si donator i fundit për renovimin e kësaj qendre, kjo qendër i posedon të gjitha kushtet për të zhvilluar një jetë normale. Buxheti për këtë shtëpi ndahet nga Qeveria e Kosovës dhe është e mjaftueshme për furnizimin me gjërave elementare. Shtëpia ka një staf të organizuar dhe jam shumë i kënaqur me punën e tyre me këtë kategori të njerëzve, që është obligim dhe përkushtim i yni ndaj tyre”, tha ai.

Autore: Eriola Cacaj, studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP.