Fjalë Kyçe

Dëshmitari: Kam kryer fushata për LDK-në, Astrit Haraqija më pajisi me vizë italiane

Dëshmitari: Kam kryer fushata për LDK-në, Astrit Haraqija më pajisi me vizë italiane

Dëshmitari Edmond Hoxha, ka deklaruar se ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, kishte arritur që në një procedurë të shpejt, atij t’ia siguronte vizën italiane.

Dëshmitari Hoxha, ka qenë në mesin e tetë dëshmitarëve, që të martën, janë planifikuar të dëgjohen në gjykimin ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit Haraqija, si dhe tre të akuzuarve të tjerë, Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri, të cilët pretendohet se në grup të organizuar kriminal kishin bërë dallavere me viza italiane.

Për këtë rast, akuzohen edhe 15 persona të tjerë për të cilët nga gjykata është veçuar procedura, në mënyrë të procedimit më të shpejt të rastit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës, dëshmitari Edmond Hoxha tha se njeh dy të akuzuarit Rugova dhe Haraqija, pasi që ai kishte një restorant në Prishtinë, ku të akuzuarit kishin qenë klientë aty.

“Unë kam kompaninë time dhe kam kryer fushata zgjedhore të LDK-së”, tha Hoxha.

Hoxha tha se kishte pasur shumë viza, ndërsa viza italiane sipas tij, kishte pasur dy, por që periudhën kohore nuk e din, sepse kishte marr viza të shumta përmes biznesit të tij.

“Unë vizën e parë e kom marrë për një panair në Milano, e vizën e dytë e kom marrë duke i besu autoritetit dhe miqësisë që kom pas me Astrit Haraqinë. Ai e ka ditë që unë udhëtoj dhe e kom pa vullnetin e tij që më ka thënë se nëse të duhet më shpejt do ta kryej miqësisht, e unë duke i besu autoritetit diplomatik qeverisës të asaj kohe, vetëm ma kanë dhënë pasaportën edhe më është bërë viza menjëherë. Unë e kom lanë pasaportën në restorantin tim dhe kom marrë vizën më pas”, tha Hoxha.

“Si shenjë respekti ma ka bërë vizën Astrit Haraqija, unë e kom ndje veten të nderum, e kom pas vizën për gjashtë muaj, nuk kam pagu asgjë, as për shërbime për vizë”, tha Hoxha.

Dëshmtiari Hoxha në fund tha se nuk ishte e paligjshme mënyra se si Astrit Haraqija i kishte siguruar atij vizën italiane.

Ai tha se i kishte besuar autoritetit të Haraqisë, e vetëm si miqësi që kishte me të, ishte ndier i nderuar për sigurimin e vizës në procedurë të shpejt.

Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve tjerë.

Për këtë rast, të akuzuar ishin edhe 15 persona të tjerë, për të cilët, më 3 korrik 2019, është marrë vendim që procedura të veçohet.

Andaj, në këtë mënyrë për pesë të akuzuarit e parë, gjykimi do të vazhdojë ndaras nga 15 të tjerët.

Ky rast është përballur me shtyrje të vazhdueshme ku edhe seanca e paraparë më 14 qershor 2019, kishte dështuar të mbahej pasi kishin munguar pesë të akuzuarit në këtë rast, Florjan Petani, Adem Koskoviku dhe Fadil Ahmeti, Hasan Shaqiri dhe Beg Shaqiri.

Kjo kishte bërë që as pas më shumë se një viti e gjysmë të mos vazhdonte gjykimi në këtë rast.

Në nëntorin e vitit 2017, kur ishte mbajtur seanca e fundit, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Në seancën e 29 janarit, gjykatësja Krasniqi-Jashanica kishte njoftuar se do të bisedojë me prokuroren Florije Shamolli lidhur me veçimin e procedurës ndaj disa të akuzuarve, mirëpo lidhur me këtë ende nuk ka ndonjë përgjigje nga ana e gjykatës.

Kurse, në seancën që ishte mbajtur në janar të vitit 2017, Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Visar Beqiri, si dhe Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqiri, kishin bërë kërkesë në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë.

Madje, avokati Beqiri e kishte kundërshtuar edhe seancën e mbajtur më 22 nëntor 2017, pasi sipas tij, nuk do të duhej të mbahej një seancë e tillë, përderisa kërkesa e tij, ende nuk ishte shqyrtuar nga Gjykata Supreme.

Kërkesën për mbrojtjes të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ata e kishin paraqitur pasi që Gjykata e Apelit më 25 shtator 2017, kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Kurse, Gjykata Supreme, në shkurt të vitit 2018, kishte refuzuar si të papranueshme kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruara nga avokatët Afrim Salihu dhe Besnik Berisha.

Sipas arsyetimit të vendimit të Supremes, thuhej se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet vetëm kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore, e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë.

Ndërsa, në këtë rast, sipas arsyetimit, procedura nuk ka përfunduar në formë të prerë, andaj kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e palejuar.

Seanca e fundit ndaj Ukë Rugovës dhe 19 të tjerëve ishte mbajtur më 22 nëntor të vitit 2017, por edhe ajo ishte shtyrë me kërkesë të gjykatësit Petrov Petkov, i cili kishte kërkuar veçim të procedurës për të akuzuarit Ukë Rugovën, Izet Beqirin, Florjan Petanin dhe Qefser Bahollin.

Këtë propozim, e kishte kundërshtuar prokurori i atëhershëm i rastit, Alan Casnick, i cili kishte thënë se një veçim i tillë do të ishte i panevojshëm, ndërsa disa nga mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar kohë që të deklaroheshin për këtë propozim.

Në bazë të kësaj, gjykatësi i atëhershëm Petkov, u kishte dhënë shtatë ditë kohë mbrojtësve të të akuzuarve, që të paraqesin mendimin e tyre me shkrim dhe pas kësaj, gjykatësi kishte thënë se do ta caktonte seancën tjetër për këtë rast.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.