Fjalë Kyçe

Dy rrugë në Prishtinë dëmtohen dy muaj pas asfaltimit, banorët ankohen në punime pa kritere

Dy rrugë në Prishtinë dëmtohen dy muaj pas asfaltimit, banorët ankohen në punime pa kritere

Të shpeshta janë ankesat e qytetarëve të Prishtinës për punët që Komuna i kryen nëpër pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

Shumë prej qytetarëve janë të pakënaqur me punën që pushteti komunal kryen në shtrimin e rrugëve, e një ankesë të ngjashme e kanë edhe banorë të lagjes “Taslixhe’’, të cilët janë të pakënaqur me punën që është kryer në këtë lagje, raporton KTV.

Fidail Syla thotë se Komuna bëri asfaltimin e një pjese të rrugës, që lidh lagjen e tyre me lagjen “Vneshta”, vetëm dy muaj më parë, por që brenda një kohe të shkurtër rruga këtu ka filluar të prishet.

Përveç asfaltimit të dobët të kësaj pjese, ata thonë se Komuna nuk i mori asnjëherë seriozisht ankesat e banorëve të lagjes për shqetësimet e ngritura.

Ndërkaq, sipas banorëve, Komuna nuk përcolli as punën e kompanisë në këtë pjesë, e cila menjëherë pas asfaltimit të rrugës, materialin e mbetur e hodhi në gypat e rrjetit të kanalizimit.

KTV-ja ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë për Investime Kapitale, Gëzim Mehmeti, i cili përmes telefonit ka thënë se kjo rrugë do të rregullohet pas përmirësimit të kushteve klimatike.

Mehmeti tutje shtoi se kompania e kontraktuar për këtë pjesë ka hasur në shumë probleme gjatë punës për shkak të pengesave nga vetë banorët e lagjes.