Fjalë Kyçe

Gazeta serbe: SHBA-ja do të bind Kurtin dhe Mustafën të nënshkruajnë koalicionin

Gazeta serbe: SHBA-ja do të bind Kurtin dhe Mustafën të nënshkruajnë koalicionin

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe përkundër faktit se kanë kaluar më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të 6 tetorit nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për nënshkrimin e një koalicioni për formimin e institucioneve të reja.

Pas pajtimit për programin qeverisës, dy palët kanë hasur në mospajtime sa i përket ndarjes së pozitave. Ndërkohë presioni ndërkombëtar për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve nuk ka munguar. Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ditë më parë ka takuar krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilëve u ka kërkuar sa më shpejtë krijimin e qeverisë së re.

Lidhur me situatën politike në Kosovë ka shkruar sot edhe gazeta serbe ‘Danas’. Duke u thirrur në burimet e veta ky medium thotë se “SHBA’ja do të bind Albin Kurtin dhe Isa Mustafën që të nënshkruajnë një marrëveshje për koalicion”, transmeton Gazeta Express.

“Në skenën politike të Prishtinës, shumë gjëra varen nga faktori i huaj, domethënë nga amerikanët, dhe është në interesin e amerikanëve që të formohet qeveria e re në mënyrë që të vazhdohen negociatat për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës”, ka thënë ky burim për ‘Danas’.

Tashmë dy partitë i kanë dhënë njëra-tjetrës ofertat përfundimtare, ndërkohë ende as LDK e as Vetëvendosje nuk janë deklaruar përfundimisht për refuzim ose pranim.

Albin Kurti mbrëmë ka thënë se po pret nga Lidhja Demokratike e Kosovës që të vendos në Këshill të Përgjithshëm ofertën e fundit, pasi sipas tij ashtu kishin deklaruar krerët e partisë.

Megjithatë Mustafa ka përsëritur se një ofertë të tillë nuk do ta vendosin për shqyrtim në organet e partisë.

Mbetet të shihet se si dy partitë do të dalin nga qorrsokaku, duke qenë se ka më shumë se një javë që nuk ka pasur takime, ndërkohë presioni për të pasur qeveri të re sa vjen e shtohet.