Fjalë Kyçe

Gjendja e grave shtatzëna në burgjet e Kosovës, ndahen nga foshnjat pas 18 muajsh

Gjendja e grave shtatzëna në burgjet e Kosovës, ndahen nga foshnjat pas 18 muajsh

Që nga viti 2008, 13 fëmijë në Kosovë kanë nisur ditët e para të jetës në qeli burgu, pasi që nënat e tyre kanë qenë në vuajtje të dënimit.

Në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ka një hapësire të veçante ku vendosen gratë shtatzëna dhe gratë me fëmijë, të cilat kanë të drejtë të mbajnë afër fëmijët deri sa ata t`i mbushin 18 muaj. Pas kësaj kohe fëmija ndahet nga nëna.

Në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, ka një objekt të veçantë, i cili është i paraparë për vendosjen e nënave me fëmijë. Në atë objekt janë katër dhoma dhe një hapësirë e veçantë e pajisur me lodra që i ngjason kopshtit.

Gratë shtatzëna, gratë që lindin fëmijë dhe nënat që përkujdesen për fëmijët e tyre vendosen ndarazi nga gratë e tjera të dënuara.

Për disa vite me radhe mbi dhjetë fëmijë kanë nisur ditët e para të jetës së tyre në Qendrën Korrektues në Lipjan.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë qenë 13 gra shtatzëna që kanë shkuar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Lipjan, të cilat kanë lindur aty.

“Nga viti 2008-2017 kanë qene 13 raste me  femra shtatzëna,  të cilat kanë lindur fëmijë këtu dhe që kanë ardhur me fëmijë në vuajtje të dënimit, dhe si të paraburgosura”, thuhet në përgjigjet e SHKK.

Sipas Shërbimit Korrektues, gratë shtatzëna nuk lejohen të mbajnë dënimin në hapësirat e njëjta me gratë e tjera, ato vendosen në  shtëpinë e nënave. Në të cilin ambient sipas tyre ato kanë të gjitha kushtet që mundësojnë mbajtjen e shtatzënisë së shëndetshme dhe rritjen e fëmijës.

Por, procesi i lindjes nuk mund të kryhet brenda hapësirave të burgut.

Kur vije koha e lindjes, gratë shtatzëna nën përcjelljen e policisë dërgohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Repartin e Gjinekologjisë për të lindur.

Ato mbahen në spital, aq ditë sa është e nevojshme që të ketë trajtim mjekësor, shkruan Insajderi.

Pasi konstatohet që gjendja e nënës dhe bebes është e mire, ato kthehen përsëri në burg për të vazhduar dënimin.

Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, parasheh që nëna të mbajë foshnjë deri në muajin e 18.

Pas kësaj moshe merret një vendim se ku duhet të qëndroj fëmija ndërkohë që nëna e mban dënimin.

“Femra e dënuar që lindin fëmijë derisa janë në vuajtje të dënimit, mund ta mbajë atë deri sa i mbushë 18 muaj. Pas kësaj moshe prindërit  e fëmijës vendosin, nëse kujdestaria e fëmijës i besohet babit, të afërmve ose personave të tjerë”, ka thënë drejtori i Qendrës Korrektues në Lipjan, Isuf Iberdemaj.

Por në rast se gruaja që ka lindur fëmijën nuk ka familjar që kujdesen për fëmijën apo nuk dëshiron që ta lë atë nën kujdesin e tyre atëherë fëmija dërgohet në qendrën sociale.

Ndërkohë që në “shtëpinë e nënave” fëmijët qëndrojnë deri në 18 muaj, kërkesa më e shpeshtë e nanave lehona sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut është ushqimi për to dhe bebet.

“Kërkojnë ushqim të paraparë për lehona dhe të posa lindur e që Qendra Korrektuese ua plotëson. Ndërkohë që objekti ku janë të vendosura ato i plotëson kushtet edhe për nënën sikur edhe për fëmijën”, thuhet në një përgjigje të KMDLNJ-së.

Mirëpo, KMDLNj vlerëson se ajo e burgosur, shtatzëne apo lehonë ndjehet e vetmuar por njëkohësisht edhe e veçuar ngase nuk ka kontakte me të burgosurat tjera.

Pas ndarjes nga fëmija, nëna ka të drejtë të shoh atë një herë në muaj.

“Personi i dënuar ka të drejtë në pranimin e vizitave së paku një herë në muaj në kohëzgjatje prej së paku një (1) orë nga bashkëshorti/ja, fëmija, fëmija i adoptuar, prindi, prindi adoptues dhe të afërmit e tjerë të gjakut në vijë të drejtpërdrejtë, ose në vijë të tërthortë deri në shkallën e katërt”, thuhet në përgjigjen e KMDLNJ-së dhënë Insajderit.

Vizita e tyre bëhen në hapësira të veçanta dhe nën mbikëqyrjen e personelit të burgut.

Ndërsa fëmijët e moshës së rritur, që nuk kanë lindur gjatë kohës sa nëna e tyre ka qenë në vuajtje të dënimit, mund ta vizitojnë ato në burgu, por vizitat e tyre janë të rregulluara në mënyrë tjetër.

“Vizitat e tilla bëhen në hapësira të veçanta nën mbikëqyrjen e personelit të institucionit korrektues. Për vizitat që u bëhen nënave të dënuara nga fëmijët e tyre zbatohen rregulla të posaçme që atyre u mundësojnë vizita edhe më të rregullta”, thuhet në përgjigjen e KMLDNJ-së.

Bashkimi me fëmijën pas përfundimit të dënimit

Nënat që kanë lindur në burg, pas përfundimit të dënimit kanë të drejtë të bashkohet me fëmijën. Por në rast se fëmiu është qendrën sociale duhen ndjekur disa procedura.

“Nëse nuk ka ndonjë kufizim nga gjykata apo nëse fëmiu nuk i është dorëzuar ndonjë institucioni për kujdestari, pas vuajtjes së dënimit nuk ka asnjë pengesë për bashkim familjar deri në moshën kur fëmiu ka të drejt vet të deklarohet se me kënd do të qëndrojë”, thuhet në përgjigjen e KMDLNj-së.

Por në rast se foshnja është dërguar në qendrën sociale atëherë nëna duhet të ketë një vendim gjyqësore deri në moshën madhore për marr përsëri.

“Po, duhet të jetë një vendim gjyqësorë deri në moshën madhore. Fëmija dërgohet në qendër sociale vetëm në rast se nuk ka mundësi tjetër, kur e burgosura nuk ka familje apo kur familja nuk e pranon fëmijën sikur kur nuk e ka babanë apo kur ka pengesa ligjore që të kujdeset babai, kur nuk ka kushte elementare për zhvillim, edukim apo integrim në rrethin familjar”, thuhet në përgjigjen e KMDLNj-së.

Fëmijët që vendosen në qendra sociale kanë prindër problematikë dhe një mjedis problematik prandaj nuk ka edhe aq shumë raste kur bashkohen me familje.