Fjalë Kyçe

Gjykata dënon me pesë vjet burg, burrin që vrau gruan në Gjakovë

Gjykata dënon me pesë vjet burg, burrin që vrau gruan në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë, të mërkurën, e ka shpallur fajtor të akuzuarin për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje, Xhafer Shkodra.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Nikollë Komani, i akuzuari Shkodra është dënuar me pesë vjet e dy muaj burgim unik, për të dy veprat penale me të cilat ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Komani, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga 20 gushti i vitit të kaluar.

Ndryshe, i akuzuari Shkodra ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare, duke shtuar se nuk kishte për qëllim që ta vriste gruan e tij.

Ndërsa, pasi prokurori Ali Uka, në fjalën e tij përfundimtare, e kishte rikualifikuar veprën penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”, i akuzuari ishte deklaruar se e pranon fajësinë, pas këtij rikualifikimi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2018, Xhafer Shkodra akuzohej se më 19 gusht 2018, rreth orës 00:00, në Gjakovë, pikërisht në ballkonin e shtëpisë së tij, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerën-bashkëshorten e tij, R.Sh, e moshës 61 vjeçe, për shkaqe të panjohura.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur derisa ishin duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tyre, i pandehuri me një revole të tipit “Bereta”, nga një afërsi drejtpërdrejtë shtënë një herë dhe me atë të shtënë e privon nga jeta tani të ndjerën-bashkëshorten e tij, ku më pas largohet në drejtim të panjohur.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 179 par.1 nënpar. 1.3 të KPRK-së, si dhe veprën penale të posedimit të paautorizuar të armës, nga neni 374 par.1 i KPRK-së.