Fjalë Kyçe

Grenell aktiv në Twitter, ndjek pesë politikanë kosovar por jo edhe Kurtin

Grenell aktiv në Twitter, ndjek pesë politikanë kosovar por jo edhe Kurtin

Edhe pse është takuar me Albin Kurtin të enjten, po ashtu edhe në tetorin e vitit të kaluar, Ambasadori i ShBA-ve në Berlin, Richard Grenell nuk e ndjek liderin e Lëvizjes Vetëvendosje në Twitter, një rrjet social të cilin ai e konsideron serioz.

Grenell, i cili mori përsipër udhëheqjen e dialogut Kosovë-Serbi vitin e kaluar – i emëruar direkt nga presidenti amerikan Donald Trump, është goxha aktiv në Twitter. Aty ai shpërndan shkrime të gazetave, diskuton me diplomatë dhe gazetarë, si dhe publikon pothuajse të gjitha aktivitetet e tij diplomatike.

Madje në vitin 2014, magazina famoze amerikane TIME, e kishte renditur atë në mesin e 10 politikanëve më aktiv në këtë rrjet social, raporton Gazeta Online Insajderi.

Me 168 mijë ndjekës, Grenell vazhdon të mbetet shumë aktiv në këtë rrjet social edhe me çështjet që lidhen me detyrën e re që ai ka marrë përsipër: zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I ashtuquajtur ‘dekan’ i të gjithë ambasadorëve të ShBA-ve në Evropë, Grenell i ka ndjekur në Twitter disa politikanë kosovarë, por edhe serbë.

Në mesin e këtyre politikanëve janë presidenti Hashim Thaçi, kryediplomati në detyrë, Behgjet Pacolli, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Grenell, po ashtu e ndjek në këtë rrjet social edhe ambasadoren e Kosovës në ShBA, Vlora Çitakun, si dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.

Por, ndonëse Grenell përmes Twitterit e falënderoi Kurtin për takimin që të dy zhvilluan me njëri-tjetrin të enjten, asnjëri nuk e ndjek tjetrin në këtë rrjet social.

“Faleminderit Albin, zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të punës duhet të jetë prioritet për tërë rajonin”, ka shkruar Grenell në Twitter, duke i komentuar një shkrimi të Kurtit – po ashtu lidhur me takimin mes tyre.

Në shkrimin e tij, Kurti tha se me Grenellin ka diskutuar për nevojën urgjente në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës.

“Prita ambasadorin amerikan Richard Grenell sot në zyre, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca dhe deputeten Fitore Pacolli. Diskutuam nevojën urgjente për t’u përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e mundësive për punësim”, shkroi Kurti në Twitter.