Fjalë Kyçe

Kallëzim penal ndaj 22 policëve rasti “Gylenistët”, Sveçla thotë se të fillojnë nga Thaçi

Kallëzim penal ndaj 22 policëve rasti “Gylenistët”, Sveçla thotë se të fillojnë nga Thaçi

Kreu i komisionit hetimor për rastin e gylenistëve, që ishte krijuar në Kuvend të Kosovës, Xhelal Sveçla ka folur për Gazetën Express pas lajmit se për 22 policëve të përfshirë në operacionin e 29 marsit iu është ngritur kallëzim penal.

Sveçla po thotë se është mirë që kanë filluar procedurat që mund të vënë para drejtësisë përgjegjësit për shkeljet e shumta të ligjit, por, që sipas tij po amnistohen të fortit kryesorë, që siç thotë ai janë presidenti Hashim Thaçi, si dhe drejtori i AKI-së, e policisë.

“Sapo mora lajmin që IPK ka ngritur kallxim penal ndaj 22 policëve të përfshirë në rastin e arrestimit dhe dëbimit të jashtëligjshëm të 6 shtetasve turq. Sa është mirë që veçse kanë filluar procedurat për ti vënë para drejtësisë përgjegjësit për shkeljet e shumta të ligjit, është jashtëzakonisht dëshpruese dhe e papranueshme që akterët më të dobët të vihen para ligjit duke anashkaluar e amnistuar të fortit që janē përgjegjësit kryesorë, si Hashim Thaqi dhe dy drejtorët, ai i AKI-së dhe Policisë”, ka bërë të ditur Sveçla për Gazetën Express.

Kryetari i komisionit po thotë se pa ndëshkuar presidentin Hashim Thaçi, e përgjegjësit e tjerë, nuk duhet të goditen policët.

“Po sikur në rastin e parë kur ndaj të dobëtit establishmenti vepronte me forcë, tash po përsëritet e njejta qasje, ndiqen zbatuesit dhe kursehen urdhërdhënësit, të cilët edhe kanë tentuar të përfitojnë nga ky veprim. Pa ndëshkuar Hashimin e njerëzit e tij, është qyqarllëk të goditen policët që veç kanë zbatuar urdhërat e tij. E poashtu as nuk pritet që ai të sillet me integritet e të marr përgjegjësit që i takojnë. I bëj thirrje secilit nga këta 22 zyrtar policorë që mos të mbrojnë urdhërdhënësit, dhe apel të gjthë zyrtarëve shtetëror që mos të zbatojnë urdhëra të jashtëligjshëm që vijnë nga kushdo, përfshirë Presidenti i skaduar apo cilido kapës i shtetit”, ka përfunduar ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka pranuar kallëzime penale nga Inspektorati Policor i Kosovës për 22 zyrtarë të Policisë së Kosovës në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova para më shumë se një viti, në rastin e njohur si “Gylenistët”. Sipas Prokurorisë, kallëzimi penal është bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga IPK-ja ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehur të tjerë në lidhje me ketë rast”, ka thënë në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i kësaj prokurorie Ekrem Lutfiu. Ai ka shtuar se janë duke intervistuar edhe të pandehur të tjerë.

Por, se kush janë këta persona dhe a ka ndonjë aktakuzë që pritet të ngrihet për profilin e lartë të politikanëve, ose udhëheqësve të institucioneve nuk është bërë e ditur.

“Për momentin nuk kemi mundësi të japim të dhëna tjera pasi që jemi ende në fazën e hetimeve”, ka thënë Lutfiu.

Rastin e kanë konfirmuar për Gazetën Express edhe nga IPK-ja.

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se kanë dërguar kallëzime penale për 22 zyrtarët e Policisë së Kosovës, të përfshirë në rastin e njohur si “Gylenistët”.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, lidhur me rastin dëbimit të shtetasve turq nga Republika e Kosovës për në Turqi,  bazuar në autorizimet ligjore dhe autorizimet nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe pas këtyre veprimeve kanë dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës”, thuhet tutje.

Nga ky institucion nuk kanë dhënë detaje se për çfarë profile të policisë së Kosovës bëhet fjalë në këto kallëzime penale.

Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.

Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016.

Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ashpra nga shtetet perëndimore, por edhe vetë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që pati deklaruar se nuk ishte në dijeni të këtij operacioni. Pas operacionit presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e kishte falënderuar presidentin Hashim Thaçi për bashkëpunimin, ndërsa kishte folur ashpër kundër kryeministrit Haradinaj.

Më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq. Të njëjtët kanë hartuar një raport me më shumë se 82 faqe që tregon në detaje për prapavijën e asaj dite.