Fjalë Kyçe

KQZ e gatshme për zgjedhje të reja, buxheti i Kosovës cenohet seriozisht

KQZ e gatshme për zgjedhje të reja, buxheti i Kosovës cenohet seriozisht

Kanë kaluar mbi 100 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë dhe vendi ende nuk ka arritur të krijojë qeverinë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bllokuar procesin e formimit të institucioneve duke vendosur vija të kuqe për partitë tjera – por si duket edhe ndaj njëra-tjetrës, shkruan lajmi.net.

Koalicioni mes këtyre dy partive para dhe pas zgjedhjeve dukej punë e kryer, derisa në tavolinën e diskutimeve arriti tema e posteve qeveritare dhe shtetërore që bëri këto dy parti të thellohen në mos-pajtime.

Video, letra të këmbyera, paraqitje televizive, thumbime në rrjete sociale – të gjitha këto sipas analistëve politikë po i largojnë nga një marrëveshje këto dy parti.

E nuk kanë nguruar nga asnjëra palë fjala “zgjedhje të reja”. Mundësi kjo e cila nuk po anashkalohet as nga Lëvizja Vetëvendosje e as nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por sa është e gatshme Kosova për zgjedhje dhe sa dëmtohet vendi në rast të zgjedhjeve të reja?

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për lajmi.net është shprehur se KQZ-ja e ka obligim kushtetues organizimin e zgjedhjeve kurdo që kërkohet.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk komenton zhvillimet politike. Lidhur me temën në përgjithësi, KQZ-ja vazhdimisht e ka bërë të qartë se organizimi i zgjedhjeve është detyrë kushtetuese, prandaj do ta përmbushim këtë dëtyrë kurdo që kërkohet”, është shprehur Elezi për lajmi.net.

E zgjedhjet e reja po shihen të dëmshme edhe nga aspekti politik, por gjithashtu ekspertët pohojnë se Kosova do të dëmtohet shumë ekonomikisht nëse shpallen zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu për lajmi.net është shprehur se ka rënë shpresa se do të ketë një qeveri mund ta kthej besimin në ardhmëri.

“Është e vërtetë që kjo lojë politike për krijimin e koalicionit po e dëmton ardhmërinë e Kosovës dhe kjo situatë po analizohet vetëm nga dimensioni politik, por neve do të na shqetësoj edhe aspekti ekonomik. Në këtë drejtim besoj se jemi dëshmitar të një realiteti të hidhur të krijuar në Kosovë sepse kemi besuar se 20 vite pas luftës do ta kemi një koalicion që do të kthej besimin në ardhmëri”, tha Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, LDK dhe VV po diskutojnë sikur nga dy bota të ndryshme dhe jo si parti politike e po i vendosin interesat partiake mbi ato shtetërore.

“Dialogu e dëshmon të kundërten dhe besoj se është koha kur mbi interesat e partive politike duhet të jenë interesat e shtetit dhe të gjinden modelitetet për koalicion. Kohët e fundit jemi paksa skeptik se dialogu është në rrugë të mirë, dialogu më tepër po i përngjan dialogimit mes dy poleve, mes dy botave sesa mes dy partive, brenda Kosovës, nga kjo si alternativë mund të jenë zgjedhjet e reja por një vendim i tillë do të ishte i dëmshëm për Kosovën edhe në aspektin ekonomik edhe kohor”, tha Gërxhaliu.

Sipas tij, kthimi i zgjedhjeve do të cenonte rëndë buxhetin e Kosovës dhe me këtë nuk do t’i bëhej aspak nder vendit.

“Kthimi prap i zgjedhjeve do të ketë ndryshime të vogla, popullata është e zhgënjyer, diaspora nuk do të kontriboj në ndryshim dhe buxheti i Kosovës është i cenuar. Me zgjedhje të reja nuk i bëhet nder Kosovës dhe ardhmërisë së sa”, tha Gërxhaliu.

Se a do të arrihet marrëveshja midis LDK-së dhe Vetëvendosjes mbetet të shihet por në një situatë kur këto dy parti nuk arrijnë marrëveshje, zgjedhjet e reja mund të jenë mundësi reale për Kosovën.