Fjalë Kyçe

“Pa kompromis të madh, Kurti nuk do të mund të arrijë marrëveshje me LDK-në”

“Pa kompromis të madh, Kurti nuk do të mund të arrijë marrëveshje me LDK-në”

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se bisedimet në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së kanë hyrë në një zonë të improvizimeve ku për t’u arritur marrëveshja mes tyre duhet të bëhen kompromise të mëdha.

“Idetë për ndryshim proporcionesh për ministri apo marrja e Ministrisë së Jashtme nga LDK në këmbim të postit të kryeparlamentarit, janë improvizime të momenteve të fundit që vijnë si rezultat i presionit publik dhe ndërkombëtar. Nuk është dashur të vihet deri në këtë situatë sepse kanë pasur kohë që ta arrinin një marrëveshje normale. Presioni publik kolektiv është diçka negative – e dëmshme në çdo aspekt”, tha Muhaxhiri.

“Kurti është në preison të madh. Është një fjalë: ‘Ke kujdes se çfarë dëshiron se mund të të realizohet’. Kurti ka dashur t’i fitojë zgjedhjet, mirëpo kjo e ka përgjegjësinë dhe presionin e madh. Kurti duhet të bëjë kompromis të madh. Nuk ka gjasë të arrijë marrëveshje me LDK-në pa bërë kompromis të madh”, ka thënë Muhaxhiri, në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Këto kompromise janë ndonjë kompensim me numrin e ministrive për pozitën e kryeparlamentarit. Kurti ka mbyllur dyert me partitë tjera dhe tash është i obliguar t’i pranojë kërkesat e LDK-së nëse dëshiron që të bëhet Kryeministër. Kjo është negative mirëpo vetë e ka sjell vetën në këtë pozitë”.

Sipas tij problemi kryesor i arritjes së ujdisë në mes dy partive janë bërë pozita e Presidentit.

“Është absurde kjo. Aktualisht është çështja e kryeparlamentarit. Konjufca është personi i dytë më i fuqishëm në VV dhe tërheqja e tij do të krijonte imazh jo aq të mirë nëse nuk do të kishte ndonjë përfitim aq të madh nga VV. Mirëpo nëse vërtetë është kërkesë e 6 tetorit, e të gjithë faktorëve relevant ia vlen që në instancë të fundit të bëhet edhe kjo sakrificë dhe të aplikohet ky vullnet i qytetarëve”.

Muhaxhiri, ka thënë që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk mund të japë dorëheqje pa e pyetur kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

“Konjufca nuk mund të japë dorëheqje pa u koordinuar me Kurtin. Me këtë gjë do e vendosnin në pozitë të palakmueshme vetë Kurtin”.

“Në Vetëvendosje, është Kurti i cili vendos për 90% të gjërave edhe pse e kanë një lloj formalizimi. Albin Kurti është ‘mit’ brenda Vetëvendosjes dhe çkado që ai do ta interpretonte me letrat e tij të gjata – votuesit e tij do ta mirëkuptonin”.

“Kjo sepse do të ishte një lloj aplikimi real – do të ishte momenti i parë që do ta kishte mundësinë edhe për majtizmin e tij sidomos për aspekte siç është arsimi, shëndetësia dhe temat e tilla që i ka përmendur për një kohë të gjatë”, tha Muhaxhiri.