Fjalë Kyçe

 Kushtet që duhet t’i plotësoni për punë në Gjermani pas datës 1 mars

 Kushtet që duhet t’i plotësoni për punë në Gjermani pas datës 1 mars

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin dhe Konsullatat e Përgjithshme të RKS në Munih, Stuttgart, Frankfurt, Düsseldorf dhe Hamburg- njofton të gjithë shtetasit nga Kosova që synojnë punësimin në Gjermani, për kushtet, pas hyrjes në fuqi me datë 1 mars 2020, të ligjit të ri “mbi punësimin në Gjermani të punonjësve të kualifikuar”.

Procedura për rezervim takimesh dhe për marrjen e vizave do të bëhet vetëm pranë Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.

Në këtë njoftim thuhet se Ambasada e Kosovës në Gjermani nuk ka asnjë kompetencë për trajtimin e kërkesave të shtetasve nga Kosova për viza punësimi në Gjermani.

Më poshtë gjeni informacionet e ambasadës Gjermane në Prishtinë:

Ligji i ri krijon mundësi të reja për punëmarrësit/et nga shtete që nuk janë pjesë e BE-së që kanë një kualifikim të njohur në Gjermani dhe të cilët kërkojnë të nisin një marrëdhënie punësimi në Gjermani.

Çfarë është ligji rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe çfarë ka ndryshuar?

Ligji rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar u mundëson punonjësve të kualifikuar në arsim profesional nga shtete jashtë Bashkimit Evropian (Shtete të Treta) të emigrojnë më lehtë në të ardhmen në drejtim të Gjermanisë.

Përcaktimet ligjore ekzistuese për punonjës të kualifikuar me diplomë të shkollës së lartë/universitare vazhdojnë të mbeten të vlefshme.

Gjithsesi për hyrjen në Gjermani me qëllim nisjen e një marrëdhënieje punësimi apo kërkimin e një vendi pune do të vazhdojë të jetë e nevojshme pajisja me vizë, për të cilën duhet të aplikoni pranë Ambasadës Gjermane.

Për punëkërkuesit me kualifikim të pamjaftueshëm, ose kualifikim profesional që nuk njihet në Gjermani, vlejnë edhe më tej rregullat e deritanishme.