Fjalë Kyçe

Mogherini reagon ndaj Haradinajt: Ne nuk jemi pjesë e asnjë komploti

Mogherini reagon ndaj Haradinajt: Ne nuk jemi pjesë e asnjë komploti

Shefja e diplomacisë së BE-së Federica Mogherini ka hedhur poshtë akuzat e Ramush Haradinaj, se ajo ka qenë pjesë “një plani për ndarjen e Kosovës”, bashkë me presidentët Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi.

“Nuk jam pjesë e asnjë komploti. Qëllimi është që palët të ulen bashkë në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Mogherini para gazetarëve në Tiranë, transmeton Gazeta Express.

Tutje ndërmjetësuesja e dialogut mes Kosovës e Serbisë ka thënë se nuk ka parë kushtet për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për momentin.

Mogherini thotë edhe se respekton qëndrimet e të dyja shteteve dhe e merr me seriozitet rolin që ajo ka në dialog, por shton se ajo nuk mund ta përcaktojë se cila do të jetë marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë.

“I respektojmë pozicionet e palëve dhe e marrim me seriozitet rolin e ndërmjetësit dhe rolin tim personal. Ne nuk e përcaktojmë përmbajtjen e marrëveshjes së ardhshme por vetëm e mundësojmë vazhdimin e bisedimeve”, ka thënë Mogherini.

Ndryshe, Kryeministri Haradinaj ka fajësuar disa herë përfaqësuesen e BE’së se ajo ka qenë pjesë e planit për ta ndarë Kosovën. Madje ai ka kërkuar që Mogherini të largohet nga pozita e ndermjetësueses me Serbinë.