Fjalë Kyçe

Në fundjavë hapet pika e re kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Në fundjavë hapet pika e re kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar hapjen e pikës kufitare Stançiq-Bellanoc, për këtë fundjavë.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se është i lumtur që më në fund, pas shumë vitesh, është gati të hapet pika e re kufitare mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut këtë fundjavë.

“Pas shumë vitesh stërzgjatje e ngecje, jam i lumtur që pika e përbashkët kufitare Stanqiq-Bellanoc është gati dhe do të hapet këtë fundjavë për qytetarët”, ka shkruar Hoxhaj.

“Faleminderit Komisionit Shtetëror të Kosovës për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit e institucioneve të tjera për bashkëpunimin dhe Qeverisë maqedonase që për një vit, falë vullnetit politik, ka përfunduar ky projekt, i cili për vite të tëra ishte i bllokua.”, ka thënë ai.

Në muajin maj të 2019’s, Ministria e Punëve të Brendshme kishte deklaruar për Gazetën Express që hapja e vendkalimit të përbashkët kufitar mes Kosovës  dhe Maqedonisë së Veriut do të bëhej në muajin gusht të 2019’s.

Banorët e vendbanimeve kufitare të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut vazhdimisht janë ankuar për neglizhencën e autoriteteve shtetërore për mos hapjen e pikës kufitare që lidh dy shtetet.

Sipas banorëve mos funksionalizimi i këtij vendkalimi kufitar ka bërë që të udhëtojnë qindra kilometra për të shfrytëzuar pikën kufitare të Bllacës për tu lidhur me qytetet kufitare të Gjilanit respektivisht Kumanovës.

Hapja e kësaj pike kufitare ka rëndësi strategjike për shkak të pozitë gjeografike e cila lidh 3 shtete Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në atë që njihet si “Trekëndëshi i Kufirit” në aspektin e ekonomisë dhe tregut, qarkullimit të njerëzve etj.