Fjalë Kyçe

Orllani vishet kuqezi në shënimin e përvjetorit të rënies së Zahirit, Hakifit e Edmondit

Orllani vishet kuqezi në shënimin e përvjetorit të rënies së Zahirit, Hakifit e Edmondit

Orllani, vendlindja e heroit të kombit Zahir Pajazitit vishet kuqezi, ndërsa kulla që mban emrin e tij hap dyert për të mirëpritur qytetarë nga mbarë vendi, të cilët do të kenë mundësi t’i nderojnë heronjtë edhe duke dhuruar gjak.

Më 31 janar shënohet 23-vjetori i rënies heroike të luftëtarëve të parë për liri: Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës. Ky përvjetor, Orllanin, vendlindjen e Zahirit e gjen të stolisur me flamuj kombëtarë përgjatë rrugës kryesore deri te kulla e Zahir Pajazitit.

Organizata Joqeveritare Sundimi i Demokracisë në Kosvovë (SDK) në bashkëpunim me banorët e Orllanit, për nder të 31 janarit, të premten organizon edhe aktivitetin e dhurimit të gjakut nga vullnetarët në kullën e Zahir Pajazitit.

‘Ky aktivitet organizohet për nderim dhe mirënjohje për veprën dhe heroizmin e treguar nga heronjtë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha’, shprehete Rexhep Zeka, kryetar i organizatës.

Me këtë rast ftohen të gjithë qytetarët e vendit të jenë pjesë e këtij aktiviteti, ku do të kenë mundësi të vizitojnë Kullën e Zahir Pajazitit, po ashtu të vendosin lule mbi varrin e tij dhe nëse dëshirojnë munden të dhurojnë gjak, duke i nderuar heronjtë që na sollën lirinë.

Heroizmi i Zahirit, Hakifit dhe Edmondit është dëshmia më e mirë se çlirimi dhe atdhedashuria për vendin dhe kombin qenë më të rëndësishme sesa jetët e tyre.

Lavdi jetës dhe veprës së tyre.

Vendi: Orllan, Kulla e Zahir Pajazitit
Dita: E Premte, 31 Janar
Ora: 11:00 – 15:00