Fjalë Kyçe

“Personat me nevoja të veçanta më të diskriminuarit në Kosovë”

“Personat me nevoja të veçanta më të diskriminuarit në Kosovë”

Personat me nevoja të veçanta janë më të varfëritë dhe më të diskriminuarit në Kosovë, e krejt kjo për shkak të mos funksionimit të ligjeve.

Kështu ka thënë në një intervistë për drejtori qendror i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, sipas të cilit tha se institucionet qeveritare nuk japin përkrahje afatgjate për HANDIKOS, përkrahin vetëm ndonjë projekt dhe kur përfundon projekti përfundon edhe shërbimi.

“HANDIKOS punon në dy drejtime kryesore, drejtimi i parë është ofrimi i shërbimeve për qytetarët me aftësi të kufizuara si për fëmijë, si për të rritur, kurse drejtimi i dytë është avokimi, lobimi, krijimi i ligjeve apo politikave që kanë të bëjnë me jetët e personave me aftësi të kufizuara. Kur flasim për shërbimet, ne jemi organizatë që bazohemi 100 për qind vetëm në projekte dhe i ofrojmë ato shërbime të cilat nuk i ofron shteti dhe mundohemi që t’i dalim në mbështetje si fëmijëve, si të rriturve me shërbime të ndryshme duke filluar nga qëndrimi ditor i fëmijëve, po ashtu edhe të rriturve, rehabilitimi fizikal, rehabilitimi psiko-social, mbështetja psikologjike e tyre, parapërgatitja për arsim, mandej ngritja e kapaciteteve të personave të rritur për punësim për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me përfshirjen e tyre në shoqëri. Në veçanti ofrojmë edhe pajisje ndihmëse për personat me aftësi të kufizuar, e që diku gati 200 apo mbi 200 pajisje vetëm karroca i shpërndajmë gjatë tërë vitit, të gjitha këto janë të bazuara në projekte me mbështetje të disa donatorëve e që shumë pak me thanë është e mbështetur nga institucionet e tona, respektivisht edhe ajo mbështetje është e bazuar në projekte dhe dihet se kur përfundojnë projekti përfundon edhe shërbimi”, tha Maliqi, raporton Ksp.

Maliqi tha se personat me nevoja të veçanta janë më të varfëritë dhe më të diskriminuarit në Kosovë, e krejt kjo për shkak të mos funksionimit të ligjeve.

“Ligji për qasje apo infrastrukturën e personave me aftësi të kufizuar që nuk zbatohet fare, ligji për punësime për personat me aftësi të kufizuar ende nuk ka filluar të zbatohet, përfshirja e fëmijëve në edukim është jashtëzakonisht e vogël dhe është me thanë brengë tepër e madhe si për neve, si për institucionet e tona dhe personat me aftësi të kufizuara, mund të them lirishtë se janë grupi më i varfër në vendin tonë, njëkohësisht edhe janë të diskriminim këtë e mbështesin edhe nga ligji i mbrojtjes nga diskriminimi i cili thekson se nëse një person me aftësi të kufizuara nuk mundë të marrë shërbime për shkak të qasjes, atëherë konsiderohet diskriminim”, shtoi Maliqi.

Kontribut të jashtëzakonshëm në përkrahjen e realizimit të programit të HANDIKOS kanë ofruar partneret ndërkombëtar si “Handicap International”, “OXFAM”, Agjencioni Finlandez FIDIDA, Qeveria e Finlandës, dhe Ambasada e Finlandës, Organizata Italiane “Onlus Wamba-Athena”, “Onlus Roberto Bazzoni”, “Save The Children”, UNICEF, Agjensioni Evropian për ndërtime dhe rindërtim, etj. Ndërsa nga viti 2004, HANDIKOS në mënyrë modeste e kanë përkrahur edhe disa komuna të Kosovës dhe donatorë lokal.

Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës është themeluar në vitin 1983, me iniciativën e Halit Ferizit, kryetar i atëhershëm i shoqatës dhe më vonë lider i Lëvizjes së aftësisë së kufizuar në Kosovë, së bashku me një grup të qytetarëve me aftësi të kufizuara.

Objektivë kryesore e kësaj shoqate është përmirësimi i të drejtave dhe i standardeve të jetesës së personave me aftësi të kufizuar në Kosovë përmes veprimit në fushën e mbrojtjes shëndetësore, sociale dhe të punësimit.

Ndryshe, nesër më 3 dhjetor shënohet dita e HANDIKOS, ku do të shfaqën shumë aktivitete nga personat me aftësi të veçanta.