Fjalë Kyçe

Pezullohen punimet e terminalit doganor, në pronësi të dy biznesmenëve kosovar

Pezullohen punimet e terminalit doganor, në pronësi të dy biznesmenëve kosovar

Terminalit doganor në pikën kufitare në Han të Elezit, “Terminali Sh.p.k”, në pronësi të biznesmenëve kosovarë Rrustem Rukolli dhe Xhevdet Bajramaliu, i janë pezulluar punimet nga Ministria e Infrastrukturës.

“Terminali Sh.p.k” nuk do të zhvillojë procedura doganore nga dita e martë, shkaku i mungesës së licencës nga Ministria.

Aksionet e këtij terminali doganor në Han të Elezit i ndajnë dy kompani: “R & Rukolli”, që është në pronësi të biznesmenit nga Skenderaj, Rrustem Rukolli, dhe “Bajramaliu Sh.p.k”, në pronësi të Xhevdet Bajramaliut. Rukolli posedon 55 për qind të aksioneve, ndërkaq Bajramaliu 45 për qind të tyre, sipas Agjencisë së Regjistrimit të Biznesve në Kosovë (ARBK).

Lajmin për pezullimin e punës së “Terminali Sh.p.k” e ka konfirmuar për Insajderin, Xhevdet Bajramaliu, bashkë-pronari i këtij terminali doganor. Ai ka nënvizuar se firmës nuk i është vazhduar licenca ndonëse ka aplikuar për vazhdimin e saj në muajin korrik të vitit të kaluar.

“Do të pezullohen procedurat doganore përkohësisht shkaku mungesa e licencës për operim, ne kemi bërë kërkesë për vazhdimin e licenses qysh në muajin korrik të vitit 2019, por ende jemi në pritje”, ka thënë Bajramaliu.

Lidhur me mosvazhdimin e licences, Bajramaliu ka deklaruar se Ministria e Infrastrukturës ka neglizhuar këtë çështje.

“Jo nuk jemi njoftuar asnjëherë, kjo ka ndodh shkaku i neglizhencës së Ministrisë së Infrastrukturës”, ka thënë Bajramaliu për Gazetën Insajderi.

Të gjithë kamionët nga nesër do të duhet të devijojnë në terminalet tjera doganore që kanë licencë nga Ministria e Infrastrukturës.

Kurse dërgesat që janë në terminal dhe ato që hynë deri në ora 00:00 do të vazhdojnë të zhdoganohen ditët në vijim.