Fjalë Kyçe

Rritja ekonomike në vitin 2019 ishte 4 për qind

Rritja ekonomike në vitin 2019 ishte 4 për qind

Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 4 për qind në vitin 2019, përderisa të hyrat buxhetore janë rritur për rreth 6.8 për qind.

Ministri në detyrë i Financave, Lulëzim Rafuna ka thënë se në vitin 2019, ka pasur rritje prej 7/3 për qind të shpenzimeve të buxhetit. Rafuna ka njoftuar se shpenzimet kanë arritur vlerën 2 miliardë e 90 milionë euro, por që tha se ishin planifikuar 2 miliardë e 373 milionë euro.

Ka njoftuar se Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 4 për qind, përderisa të hyrat buxhetore janë rritur për rreth 6.8 për qind. Andaj, sipas Rafunës, viti paraprak ka qenë mjaft i suksesshëm për ekonominë e vendit, raporton KTV.

Rafuna në një konferencë për media, ka thënë se Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana mbeten edhe më tej kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit. Këto dy së bashku kanë mbledhur rreth 1.6 miliard euro.

Rafuna tha se borxhi i brendshëm është 791 milionë apo 11 për qind, ndërsa borxhi i jashtëm është 452 milionë apo 6.4 për qind. Sa i përket deficitit buxhetor, Rafuna tha se kanë qëndruar brenda rregullave fiskale të cilat janë të parapara me ligj.

I pyetur rreth ankesave të bizneseve se po humbin shumë nga kostoja e firos, ministri në detyrë tha se kjo çështje ka qenë e rregulluar ne ligjin e tatimit mbi vlerën e shtuar, por që tha se me dorëheqjen e qeverisë, ky ligj është kthyer në pikën zero.

Ai u shpreh i bindur se edhe qeveria e re do ta trajtojë këtë çështje.