Fjalë Kyçe

Sasia e madhe e nitrateve ndikon negativisht në shëndetin e njeriut

Sasia e madhe e nitrateve ndikon negativisht në shëndetin e njeriut

Përdorimi i plehrave për kultivimin e pemëve dhe perimeve sjell sasi të nitrateve në këto produkte.

Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës e pranojnë që ka përmbajtje të nitrateve në pemë dhe perime, raporton KTV.

Por, zyrtarë të Agjencisë thonë se sipas rezultateve të analizave të vitit të kaluar, vlera e tyre është brenda normave të caktuara sipas Rregullores për caktimin e niveleve maksimale për kontaminues të caktuar në produkte ushqimore, e cila është e harmonizuar me legjislacionin e BE-së.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Lamir Thaçi, ka thënë se ende nuk i kanë marrë rezultatet e analizave që janë bërë në pemë dhe perime këtë vit.

Ai ka thënë se rezultatet e matjeve që bëhen me aparatura të tjera nuk mund të merren parasysh.

Mirëpo, profesori i perimtarisë, Skënder Kaçiu, ka thënë se pajisja “greentest” është sinjal për institucionet që duhet të bëjnë më shumë analiza laboratorike dhe kontrolle në treg.

Ai shton se kushtet në tregjet e Kosovës ndikojnë në vlerën e këtyre nitrateve.

Kaçiu tregon edhe kur vlera e lartë e nitrateve ndikon negativisht në shëndetin e njeriut.

Nitrati gjendet në mënyrë natyrale në disa lloje të ushqimit, sikur në perime, por ai, i shtuar artificialisht dhe në masa të mëdha, sidomos në produkte të mishit, mund të ketë pasoja për shëndetin.