Fjalë Kyçe

Vetëm tri ditë paraburgim për nënën që theri me thikë mësuesen e djalit të saj

Vetëm tri ditë paraburgim për nënën që theri me thikë mësuesen e djalit të saj

Vetëm tri ditë ka qëndruar prapa grilave e pandehura B.Th., e cila, mëngjesin e 30 prillit e kishte goditur tri herë me thikë mësuesen V.P., të shkollës “7 Marsi” në Prishtinë.

Gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Arben Hoti, ka vendosur që të dyshuarës t’ia shqiptojë masën e arrestit shtëpiak, raporton KTV.

Kjo, edhe përkundër kërkesës së Prokurorisë që asaj t’i shqiptohet masa e paraburgimit nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe dyshimit se ajo mund të ndikonte në dëshmitarë.

“Duke pasur parasysh peshën e veprës penale, rrethanat në të cilat është kryer ajo, si vendin, përkatësisht institucionin ku është kryer vepra, vendi i cili është institucion parashkollor dhe në të cilin, ditën kritike kanë qenë edhe fëmijët, të gjitha këto rrethana tregojnë rrezikun se e pandehura mund ta përsërisë veprën e njëjtë penale apo të ngjashme. Për këtë, kërkoj që të njëjtës t’i caktohet masa e paraburgimit”, citohet fjala e prokurorit në aktvendimin e gjykatës.

Derisa në aktvendim, gjykata nuk i ka sqaruar rrethanat dhe arsyet, avokati thotë se kishte kërkuar masën e arrestit shtëpiak.

Ndërsa, në aktvendimin e gjykatës thuhet se avokati i të pandehurës Afrim Tasholli ka kërkuar ekzaminim psikiatrik në mënyrë që të vërtetohet gjendja e saj në momentin kur dyshohet ta ketë kryer veprën.

“E mbrojtura ime është shtatzënë, në muajin e katër, dhe është e ditur botërisht dhe vërtetuar shkencërisht se depresioni i femrës në kohën e shtatzënisë është jashtëzakonisht i lartë. E njëjta ka pasur disa zënka edhe me familjarët e burrit të saj dhe nga frika se mund të ndahen dhe mund t’i humbë dy fëmijët e saj ka rënë në depresion. Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, nenin 508, kërkoj që t’i bëhet një ekzaminim psikiatrik”, thuhet në aktvendim.

Të dyshuarës, gjykata, gjithashtu, i ka shqiptuar edhe masë ndalimi për t’iu afruar vendit apo të dëmtuarës në largësi prej 200 metrash.

Për këtë rast, ditë më parë kanë protestuar nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës “7 Marsi” në Prishtinë.

Ata kanë kërkuar siguri më të madhe në shkolla.