Fjalë Kyçe

Kokëfortësia që ndau dy partitë

Kokëfortësia që ndau dy partitë

Pas 22 gushtit, ditës së shpërbërjes së Kuvendit, mobilizimi i partive për koalicione parazgjedhore është shprehur dukshëm.

Një koalicion shumë i përfolur ishte mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2017, me kandidatin për kryeministër, Albin Kurti ka qenë partia më e votuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Një koalicion mes dy partive më të mëdha opozitare nuk u realizua ndërsa shkaktar ishte kokëfortësia e të dyja partive.

As LDK dhe as VV nuk hoqën dorë nga posti i kryeministrit në shkëmbim të një koalicioni të përbashkët parazgjedhor.

Në ditën e fundit për aplikimet e koalicioneve parazgjedhore në KQZ, lideri i VV-së, Albin Kurti dërgoi letër LDK-së, për të garuar me një listë të përbashkët, ndërsa ai që votohet më shumë nga populli në zgjedhjet e 6 tetorit të merr postin e Kryeministrit.

LDK-së nuk i ka pëlqyer kjo ofertë duke i deklaruar se nuk pranojnë një gjë të tillë dhe se koalicioni bëhet vetëm me kandidaten për kryeministre Vjosa Osmani, sepse një koalicion pa një kandidat është një listë pa krye, është shprehur dje lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Reagim të kësaj oferte ka pasur edhe kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së Vjosa Osmani ku tha se oferta e Kurtit e shpie garën ndërmjet tyre, e jo në garë me të tjerët.

Por, Glauk Konjufca, nënkryetar i LëvizjesVetëvendosje, refuzimin e ofertës së liderit të tij nga LDK-ja e ka quajtur si një frikë që të bashkëpunojë me VV-në.

Koalicioni mes të dy partive, më së shumti do t’i konvenonte LDK-së me Vjosa Osmanin për kryeministre.

Por dashuria për pushtetin i ndau të dyja partitë, meqenëse asnjëra dhe tjetra nuk ishin në gjendje të heqin dorë nga pozita  e kryeministrit.

Pas refuzimit të ofertës së Albin Kurtit nga LDK-ja filloi sulmi ndaj kësaj të fundit.

I pari që reagoi ishte Sami Kurteshi, ish deputeti i VV-së, ku përmendi rastin “Dehari” , ai akuzoi liderin e LDK-së Isa Mustafa për arrestimin e Astrit Deharit dhe aktivistëve të tjerë të VV-së.

Ndërsa Isa Mustafa ka bërë të ditur se gara në zgjedhjet e këtij viti do të ishte më reale, nëse partitë e mëdha do të garonin veç e veç. Ndërsa sipas tij, zgjedhje të vërteta janë ato që për fatin e partive vendosin qytetarët e jo koalicionet parazgjedhore . Këtu pra u vulos edhe mosnënshkrimi i një koalicioni mes LDK-së dhe VV-së, megjithatë Mustafa i ka bërë ftesë për union edhe pas zgjedhjeve.

Megjithë përpjekjeve, “dashuria” mes këtyre dy partive nuk u kurorëzua. E se a do të ketë në të ardhmen, mbetet të shihet, megjithatë duket larg në horizont.

Autorja e këtij teksti është pjesë e Gazetës Alo dhe qëndrimet e shprehura janë plotësisht personale.