Fjalë Kyçe

Trump rrezikon luftën në Lindjen e Mesme

Trump rrezikon luftën në Lindjen e Mesme

Nga Deutsche Welle

Pas vrasjes së krye-gjeneralit iranian, Ghassem Soleimani në Bagdad nga një sulm i papritur me dron i SHBA-së të gjitha shenjat flasin për një përshkallëzim të mëtejshëm. Gjendja është mjaft e rrezikshme. Betimet për hakmarrje të regjimit të Teheranit dhe aleatëve të tij tashmë janë artikuluar, aksionet e dhunës janë të pritshme – situata shumë shpejt mund të dalë jashtë kontrollit. Aleatët e SHBA-së si Izraeli dhe Arabia Saudite, por edhe Libani e në radhë të parë Iraku do të ndjejnë pasoja të rënda.

Duke nisur që nga sulmet e përgjakshme ndaj personave, shesheve apo institucioneve e deri tek sulmet ndaj çisternave apo linjave gaz e naftësjellëse e po ashtu nuk përjashtohen as sulme me predha ndaj aleatëve të SHBA-së, sepse Teherani vrasjen e Sulejmanit mund ta konsiderojë vetëm si poshtërim dhe një shpallje faktike të luftës. Teherani as që mund ta përballojë për arsye të politikës së brendshme që ta lerë pa iu kundërpërgjigjur këtij veprimi. Irani mundet, por jo detyrimisht duhet të aktivizohet vet ushtarakisht.

Ai posedon – jo vetëm falë aktiviteteve ushtarake dhe të shërbimeve sekrete të Soleimanit vitete e kaluara – një rrjet mirëfunksionues mes grupeve të ndihmës të armatosura mirë në rajon: nisur që nga milicët pro-iranianë në Irak e Siri e deri tek Hisbollahu libanaz e rebelët Huthi në Jemen, që prej kohësh ndodhen në konfrontimin e drejtpërdrejtë me rivalin e Iranit, Arabinë Saudite e po ashtu armik i shpallur i Izraelit si dhe me SHBA-në. Me Suleimanin u hoq qafe koka drejtuese operative e pushtetit dhe politikës iraniane të ekspansionit në rajon.

E për ta thënë në mënyrë neutrale, është më shumë se sa vetëm e habitshme, që regjimi në Teheran gjeneralin e tij më të rëndësishem për botën e jashtme nuk mundi ta mbrojë nga një sulm i tillë. Por edhe në Lindjen e Afërt dhe të Mesme askush nuk është i pazëvendësueshëm, as edhe Kasem Sulejamni si shef i brigadave Al-Kuds: rrjeti i ndërtuar prej tij nga Irani i milicëve besnikë në rajon mund të mbetet i aftë për veprim dhe i rrezikshëm edhe pa të, një pasues i gjeneralit ndërkohë është caktuar.

Suleimani ka merita ushtarake në luftën kundër “Shtetit Islamik” (IS) në Irak dhe në siri. Por ai ishte dora e zgjatur e regjimit, që mbështet terrorin dhe sundimin me dhunë brutale. Nuk ka arsye të të vijë keq për këtë njeri – megjithatë vrasja e tij politikisht ishte një gabim.

Donald Trump si president i SHBA-së dhe kryekomandant i forcave të armatosura të SHBA-së me këtë jo vetëm rrezikon luftë në të gjithë rajonin, prej nga ai gjoja do t’i tërheqë trupat e vendit të tij. Por ai riskon edhe krijimin e një efekti solidariteti anti-amerikan e anti-perëndimor në rajon. Kjo rrezikon tani edhe lëvizjet demokratike të protestës në Irak, në Liban dhe po ashtu edhe në Iran, ku mund të shuhen protestat politike, që direkt ose indirekt drejtohen edhe kundër qeverisë në Teheran. Nëse ndodh kështu atëherë është pikërisht Trumpi u ka shërbyer direkt interesave të Teheranit.