Fjalë Kyçe

Bebe Rexha dhe Dua Lipa së bashku në “The Voice”

Bebe Rexha dhe Dua Lipa së bashku në “The Voice”

Një prej emisioneve më të njohura muzikore në Amerikë, “The Voice”, në edicionin e tij të ardhshëm do të pasurohet dhe me prezencën e dy shqiptareve me famë botërore, Bebe Rexha dhe Dua Lipa.

Këngëtaret shqiptare bashkë me anëtarët e grupit “Jonas Brothers” dhe këngëtaren e re por shumë të suksesshme, Ella Mai, do të shërbejnë si ndihmës-trajnere për secilin prej anëtarëve të jurisë së “The Voice”.

Bebe Rexha këtë vit do t’i ndihmojë këngëtarit të muzikës country, Blake Shelton, në përzgjedhjen e kandidatëve të tij, shkruan Koha.net. Dua Lipa i bashkëngjitet yllit të muzikës, Kelly Clarkson, në këtë detyrë të rëndësishme, ndërsa dy këngëtarët Joe dhe Kevin Jonas i bashkohen vëllait të tyre, Nick, në përzgjedhjen e konkurrentëve për grupin e tij, dhe Ella Mai do ta ndihmojë në vendimin e tij këngëtarin shumë të dashur për publikun, John Legend.

Pritet të shihet nëse kjo eksperiencë e përbashkët në “The Voice”, do t’i afrojë edhe më shumë mes vete dy artistet me origjinë shqiptare, të cilat veçse e dimë që janë shoqe të mira dhe vazhdojnë t’i bëjnë krenarë shqiptarët anë e mbanë botës, me sukseset e tyre të shumta.