Fjalë Kyçe

Burnley “turpëron” “Djajtë e Kuq”, zgjohen Leicesteri dhe Tottenhami

Burnley “turpëron” “Djajtë e Kuq”, zgjohen Leicesteri dhe Tottenhami

Manchester United “turpërohet” në “Old Trafford” (0-2) nga Burnley, duke mos përfituar nga ndalesa e Chelsea-t në derbin e Londrës me Arsenalin (2-2).

“Djajtë e Kuq” pësuan nga një gol në çdo pjesë, pa mundur ta tundnin rrjetën e kundërshtarit, në një sfidë që konsiderohej e lehtë në letër, por që në realitet rezultoi një makth i vërtetë.

Në minutën e 39-të, një top i gjatë i hedhur në zonën gjeti kokën e Mee, i cili nxori në pozicion gjuajtje Wood fare pranë zonës së portierit, me de Gean që nuk mund të bënte asgjë, 0-1.

Në të 56’ erdhi goli i dytë i skuadrës mike, pas një kombinimi fantastik, që u përmbyll me “perlën” e Rodriguez që përfundoi në trekëndësh.

Leicester City la pas krizën e rezultateve të ndeshjeve të fundit me një sukses të thellë 4-1 përballë West Hamit në “King Power Stadium”. “Dhelprat” dominuan gjatë gjithë lojës, ndonëse në një moment goli i shënuar me penallti nga Noble, për rezultatin e përkohshëm 2-1, e lëkundi për një moment besimin tek ekipi i drejtuar nga Brendan Rodgers.

Në pjesën e parë për Leicesterin shënuan Barnes dhe Pereira dhe menjëherë pas shkurtimit të diferencës nga West Hami spikati me një dygolësh Perez, që vulosi rezultatin përfundimtar 4-1.

Buzëqesh pas 4 rezultateve jo të mira Jose Mourinho, pasi Tottenhami, që ai drejton, fitoi 2-1 përballë Norwichit.

Dele Alli dhe Son Heung-min shënuan në çdo pjesë, ndërsa penalltia e shndërruar në gol nga Pukki i vlejti vetëm për statistikë ekipit mik.