Fjalë Kyçe

Kapiteni i Ballkanit nga Antalia “selam” kundërshtarëve

Kapiteni i Ballkanit nga Antalia “selam” kundërshtarëve

Ballkani po vazhdon me intensitet të lartë punën në Antalia të Turqisë ku po përgatitet për një stinor të zjarrtë në elitën e futbollit të Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi pasi e mbylli në pozitën e parë stinorin vjeshtor, tashmë ka shtuar apetitet me synim që në atë pozitë ta mbyllë edhe tërë kampionatin.

Ballkani në ndeshjen e sotme kontrolluese që ishte e katërta me radhë fitoi bindshëm nga skuadrën rumune Viitorul me rezultat 4:1.

Njërin prej katër golave të Ballkanit e shënoi kapiteni Visar Berisha i cili për Zërin nga Antalia ka thënë se ekipi po kalon formë të lartë dhe duket se është gati për kampionatin aty ku i pret luftë e ashpër si për titull ashtu edhe për Kupën e Kosovës.

“Kushtet këtu janë shumë të mira. Jemi duke punuar me intensitet të shtuar ku po stërvitemi dy herë në ditë dhe moti i mirë po na mundëson për t’u përgatitur shumë mirë”, ka thënë Berisha, i cili është i kënaqur edhe me formën e ekipit në ndeshjet miqësore.

“Kemi zhvilluar ndeshje miqësore me ekipe shumë të forta dhe cilësore. Ne kemi luajtur shumë mirë dhe kemi treguar tamam që jem ekip i pjekur, ekip kampion”, tha mbrojtësi dhe kapiteni i therandasve i cili më pas pati një koment edhe për lojtarët e ardhur, Arbër Prekazi e Mirlind Daku.

“Lojtarët që janë ardhur në skuadër janë adaptuar shumë shpejt. Me disa kemi qenë bashkëlojtarë dhe nuk po e kanë shumë problem adaptimin në skuadër”, ka përfunduar Berisha.

Të kujtojmë se Ballkani ndeshjen e parë zyrtare për këtë vit do ta ketë atë të Kupës së Kosovës ku në çerekfinale e pret Dukagjini sfidë kjo që luhet me 8 shkurt në Klinë.