Fjalë Kyçe

Rashica beson se Kosova kualifikohet në Euro 2020: E kemi dëshmuar ekip i fortë

Rashica beson se Kosova kualifikohet në Euro 2020: E kemi dëshmuar ekip i fortë

Sulmuesi kosovar Milot Rashica ka dy synime të mëdha deri në verën e këtij viti.

Rashica fillimisht synon që me Kombëtaren e Kosovës të sigurojë pjesëmarrjen në “Euro 2020” në mars, kur do të mbahet plejofi i Ligës së Kombeve dhe pastaj të ndihmojë Werder Bremenin që të mbetet pjesë e Bundesligës edhe për edicionin 2020/21.

Për këto synime, Rashica ka folur të premten gjatë një interviste për mediumet gjermane nga kampi stërvitor në Spanjë, ku po përgatitet me Werderin për pjesën e dytë të stinorit shkruan Koha Ditore.

Rashica ka insistuar se Kosova ka gjasa të mëdha të kualifikohet në evropianin e këtij viti pas paraqitjeve të mira që ka treguar si në Ligën e Kombeve ashtu edhe në eliminatoret e rregullta për “Euro 2020”.

Në kualifikimet për evropian, Kosova përfundoi e treta në Grupin A me 11 pikë, duke mbetur pas Anglisë (21) dhe Çekisë (15), që tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje.

“Dua të shkruaj historinë me Kosovën. Do të ishte madhështore nëse Kosova kualifikohet në evropian” përcjell Sueddeutche.

Gjasat për kualifikim nuk i sheh të pakta ylli kosovar dhe ka besim në aftësitë e kombëtares.

“Mendoj se gjasat ekzistojnë për kualifikim në evropian. Në eliminatoret e fundit dhe në Ligën e kombeve kemi dëshmuar se jemi ekip i fortë dhe mund të arrijmë gjëra të mëdha”.

Sulmuesi 23-vjeçar është njëri prej lojtarëve kryesorë si te Kosova ashtu edhe te Werder Bremeni. Kombëtarja e Kosovës në fund të muajit mars do të luajë në plejofin e Ligës së Kombeve dhe nëse arrin të triumfojë, atëherë do të jetë pjesëmarrëse në “Euro 2020”. Në gjysmëfinale, Kosova do të përballet me Maqedoninë e Veriut, ndeshje kjo që zhvillohet në Shkup më 26 mars. Në rast të triumfit në këtë ndeshje, atëherë Kosova në finale do ta presë fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë. Finalja e plejofit e Ligës së Kombeve do të luhet më 31 mars, në Gjeorgji ose Bjellorusi.