Fjalë Kyçe

Aktakuzë ndaj Frashër Krasniqit e Milaim Zekës për përleshjen fizike në emision

Aktakuzë ndaj Frashër Krasniqit e Milaim Zekës për përleshjen fizike në emision

Ndaj dy deputetëve Milaim Zeka dhe Frashër Krasniqit, të cilë ishin përleshur fizikisht gjatë emisionit televiziv, është ngritur aktakuzë një muaj pas incidentit, por aktakuza nuk është bërë publike.

Prokurorisë Themelore në Prishtinë i janë nevojitur më pak së një muaj që të ngritë aktakuzë ndaj dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka, për shkak të përleshjes fizike, aktakuzë e cila është mbajtur në sirtarët e prokurorisë dhe gjykatës, pa u bërë asnjëherë publike.

Aktakuza ndaj deputetëve Krasniqi dhe Zeka, të cilën e ka siguruar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi”, është ngritur më 26 tetor 2017.

Prokuroria e ngarkon Krasniqin me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Zekën me veprën penale “kanosje”.

Se ka një aktakuzë të ngritur ndaj Zekës e Krasniqit, për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gashi, nuk ka dhënë detaje rreth procedimit të këtij procesi gjyqësor, me arsyetimin se gjykatësi i çështjes është në pushim vjetor.

Ndryshe, përleshja fizike ndaj dy të akuzuarve kishte ndodhur gjatë emisionit “Info Magazinë” në Klan Kosova, më 29 shtator 2017. Pas fyerjeve e sharjeve në mes të Krasniqit e Zekës, situata kishte eskaluar në përleshje fizike mes tyre.