Fjalë Kyçe

Kreu i BQK-së nuk flet për rritjen e çmimit për sigurime të veturave

Kreu i BQK-së nuk flet për rritjen e çmimit për sigurime të veturave

Mysafirë të shumtë vendës e ndërkombëtarë kanë marrë pjesë në shënimin e 20 -vjetorit të themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Ngjarja është shënuar me konferencën ndërkombëtare “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik – Rruga zhvillimore”, që është hapur nga guvernatori Fehmi Mehmeti, e pasuar me fjalë rasti nga presidenti Hashim Thaçi, e zëvendësdrejtori i FMN-së, Tao Zhang, raporton KTV.

Ky i fundit, ka porositur për krijimin e mekanizmave si përgjigje ndaj tronditjeve financiare, derisa zhvillimin ekonomik të Kosovës, e ka konsideruar të pamjaftueshëm për krijimin e vendeve të punës.

“Tregu i punës vazhdon të karakterizohet nga shkalla e lartë e papunësisë dhe një shkallë e ulët e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore, veçanërisht e grave”, ka thënë Zhang.

Zhang, bashkë me guvernatorin Mehmeti, pak më vonë kanë dalë në një konferencë për media, por të parit të BQK-së, nuk i ka pëlqyer pyetja e parë, që fillimisht iu drejtua zëvendësdrejtorit Zhang.

Përndryshe, Zhang ka thënë të jetë në njohuri se ka ‘një lloj rezistence’ për këtë çështje, por ka shtuar se në përgjithësi, mbështesin masat për stabilizim të sektorëve të caktuar.

BQK-ja, pritet që të enjten të dalë në një konferencë dedikuar tarifës së re për sigurimin e veturave, e një ditë më vonë, para këtij institucioni janë paralajmëruar protesta në kundërshtim të rritjes së çmimeve.

Përveç protestave, kundër rritjes së tarifave për sigurime, janë nisur edhe peticione në formë elektronike që pritet t’i dërgohen BQK-së.

Vendimi për rritjen e çmimeve për sigurimin e automjeteve në lartësi prej 26 %, ka hyrë në fuqi nga 15 nëntori i këtij viti.